Lideri i partisë më të madhe opozitare, Isa Mustafa, ka vendosur të flas për marrëveshjen e shkelur nga kryeministri Hashim Thaçi dhe ambasadori në largim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kristofer Dell, e cila parashihte mbajtjen e zgjedhjeve të para të drejtpërdrejta presidenciale gjashtë muaj pas ndryshimeve kushtetuese. Në një intervistë për Kohën Ditore, Isa Mustafa ka thënë se të dy, edhe ambasadori Dell dhe kryeministri i kanë hëngër fjalët.
Ai ka thënë se gjithçka është zhvilluar në Rezidencën e ambasadorit Dell, në prani të ekspertëve juridikë amerikanë.
Në rrethanat e krijuara ai ka thënë se nuk i bëjnë përshtypje ato që ambasadori amerikan Dell mund t’i flasë për të dhe për LDK-në.

“Çfarë thotë ambasadori Dell është çështje personale e tij. Kë e paragjykon ai, prapë është problem i tij. Kë e ofendon ai prapë është problem i tij. Nuk është problem i imi. Në qoftes se ai dikujt i thotë se ka sjellje fëmijërore, idhnake është çështje e tij e jo e gjuhës sime. Ne nuk jemi as idhnakë, as marrim vendime të tilla në bazë të hidhërimit. Ne u qëndrojmë marrëveshjeve, u qëndrojmë parimeve dhe u qëndrojmë interesave të Kosovës mbrapa”, është shprehur Mustafa.

Kryetari i LDK-së e ka përjashtuar çdo mundësi që LDK-ja të bëhet pjesë e ndonjë marrëveshjeje të re, ashtu sikur ka hedhur poshtë mundësinë që kjo parti të futet në bashkëqeverisje me PDK-në për t’i tejkaluar proceset politike që e presin vendin në vjeshtë të këtij viti.

Ndryshe, marrëveshja politike ndërmjet Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit parashihte që zgjedhjet presidenciale të mbaheshin më së largu gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese. Deri atëherë, në krye të shtetit ishte vendosur të qëndronte oficerja e policisë, Atifete Jahjaga.

Ai ka thënë se gjithçka është zhvilluar në Rezidencën e ambasadorit Dell, në prani të ekspertëve juridikë amerikanë.

Javën e kaluar Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të Presidentes Atifete Jahjaga duke konstatuar se përfshirja e amandamentit për shkurtimin e mandatit të saj është në kundërshtim me Kushtetutën. Pas këtij vendimi të kushtetueses, kryeministri Thaci si nënshkrues i marrëveshjes dhe ambasadori Dell si garantues i saj u shprehen qartë se duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke i dhënë kështu një goditje të fortë dy nënshkruesve të tjerë të kësaj marrëveshje, Isa Mustafa e Behgjet Pacolli që ishin angazhuar për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale më së largu deri në mesin e vitit 2013./Korieri.Info/